Kolegji Biznesi zhvilloi takim me Alumni në kuadër të procesit të riakreditimit

Në kuadër të përgatitjeve për procesin e riakreditimit institucional dhe të programeve të studimit, Kolegji Biznesi organizoi takim me të diplomuarit (Alumni), me qëllim vlerësimin e përvojave të tyre gjatë studimeve, zhvillimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbledhjen e rekomandimeve për përmirësimin e programeve të studimit.

Gjatë takimit u diskutua për përvojat e të diplomuarve në tregun e punës, mundësitë e punësimit pas përfundimit të studimeve, përshtatshmërinë e njohurive dhe kompetencave të fituara gjatë studimeve me kërkesat e profesioneve përkatëse, si dhe rëndësinë e zhvillimit të aftësive praktike dhe profesionale.

Në fokus të diskutimeve ishin programet e studimit:

  • Menaxhment dhe Ekonomiks – BA
  • Shkenca Kompjuterike – BSc
  • Menaxhment dhe Financa – Master
  • Menaxhimi i Emergjencave – Master

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Alumni në vlerësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të programeve të studimit, përmes shkëmbimit të përvojave profesionale, identifikimit të kompetencave të nevojshme në tregun e punës dhe ofrimit të rekomandimeve për zhvillimin e kurrikulave.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit dhe të diplomuarve, përmes përfshirjes së tyre në aktivitete akademike, profesionale dhe në proceset e sigurimit të cilësisë.

Ky takim pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Kolegjit Biznesi për përfshirjen aktive të Alumni në zhvillimin institucional, përmirësimin e cilësisë së programeve të studimit dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës.