Vizitë studimore e studentëve të Kolegjit Biznesi në Stacionin Policor në Ferizaj

Në kuadër të aktiviteteve të Biznesi Summer School 2026, studentët e Programit Studimor Menaxhimi i Emergjencave (BA), Programit Master në Menaxhment dhe Financa dhe Programit Studimor Menaxhment dhe Ekonomiks (BA) zhvilluan një vizitë studimore në Stacionin Policor në Ferizaj, me qëllim të njohjes nga afër me organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e Policisë së Kosovës.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga përfaqësuesit e Stacionit Policor, të cilët prezantuan strukturën organizative të institucionit, funksionimin e administratës policore, procedurat administrative dhe proceset që ndiqen në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Studentët u njohën me mënyrën e trajtimit të rasteve, menaxhimin e dokumentacionit, koordinimin ndërmjet njësive policore dhe rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore dhe administrative në punën e përditshme.

Një pjesë e veçantë e vizitës iu kushtua rolit të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatave emergjente. Përfaqësuesit e policisë prezantuan procedurat operative të reagimit në raste emergjencash, bashkëpunimin me institucionet e tjera të sigurisë dhe shpëtimit, koordinimin gjatë fatkeqësive natyrore, aksidenteve dhe incidenteve të sigurisë, si dhe sfidat me të cilat përballen gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Përmes diskutimeve interaktive, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të shkëmbejnë mendime me zyrtarët policorë, duke fituar njohuri praktike mbi rëndësinë e planifikimit, komunikimit institucional, vendimmarrjes së shpejtë dhe koordinimit efektiv në menaxhimin e emergjencave dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Vizita studimore në Stacionin Policor në Ferizaj përfaqëson një tjetër aktivitet të rëndësishëm të Biznesi Summer School 2026, duke dëshmuar angazhimin e Kolegjit Biznesi për të lidhur mësimin teorik me praktikën institucionale dhe për të forcuar bashkëpunimin me institucionet publike në funksion të zhvillimit profesional të studentëve.