Punëtori praktike për krijimin e një faqeje të thjeshtë web në kuadër të Biznesi Summer School 2026

Në kuadër të aktiviteteve të Biznesi Summer School 2026, studentët e Programit Studimor Shkenca Kompjuterike morën pjesë në punëtorinë praktike me temën “Krijimi i një Faqeje të Thjeshtë Web”.

Punëtoria kishte për qëllim që studentëve t’u mundësonte zbatimin praktik të njohurive të tyre në fushën e teknologjisë informative dhe zhvillimit të aplikacioneve web. Gjatë aktivitetit, studentët punuan individualisht dhe në grupe për të planifikuar strukturën, përmbajtjen dhe paraqitjen vizuale të një faqeje të thjeshtë interneti.

Pjesëmarrësit u njohën me hapat kryesorë të zhvillimit të një faqeje web, duke përfshirë krijimin e strukturës bazë, organizimin e përmbajtjes, vendosjen e teksteve dhe elementeve vizuale, si dhe përshtatjen e dizajnit për një paraqitje sa më funksionale dhe të kuptueshme për përdoruesin.

Punëtoria u zhvillua nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Hiflobina Dermaku, e cila orientoi studentët gjatë realizimit të detyrave praktike, ofroi këshilla profesionale dhe i ndihmoi ata në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve gjatë procesit të krijimit të faqeve web.

Përmes kësaj punëtorie, studentët zhvilluan aftësitë e tyre në programim, dizajn web, zgjidhjen e problemeve, kreativitet, punë ekipore dhe prezantimin e produkteve digjitale. Në përfundim të aktivitetit, studentët prezantuan faqet e krijuara dhe diskutuan për funksionalitetin dhe mundësitë e përmirësimit të tyre.

Aktivitete të tilla janë pjesë e qasjes praktike të Biznesi Summer School 2026, duke u mundësuar studentëve të lidhin njohuritë teorike me zbatimin praktik dhe të zhvillojnë kompetenca të nevojshme për tregun bashkëkohor të punës në fushën e teknologjisë informative.