U hap zyrtarisht Biznesi Summer School 2026 në Kolegjin Biznesi

Sot, në ambientet e Kolegjit Biznesi, u bë hapja zyrtare e Biznesi Summer School 2026, një program pesëditor që do të zhvillohet nga 13 deri më 17 korrik 2026, me pjesëmarrjen e studentëve, stafit akademik dhe ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë.

Ceremonia e hapjes u përshëndet nga Dekani i Kolegjit Biznesi, i cili u uroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve dhe shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj shkolle verore. Në fjalën e tij, ai theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në avancimin e njohurive akademike, zhvillimin profesional të studentëve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe praktikës.

Dekani gjithashtu uroi pjesëmarrësit për një javë të suksesshme, duke i inkurajuar ata të përfitojnë maksimalisht nga ligjëratat, punëtoritë dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.

Pas ceremonisë së hapjes, filloi zbatimi i programit të Biznesi Summer School 2026, i cili do të përfshijë ligjërata dhe punëtori interaktive të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, diskutime mbi temat bashkëkohore të biznesit, ekonomisë, teknologjisë dhe lidershipit, punë praktike në grupe, vizita studimore në institucione dhe biznese partnere, si dhe aktivitete të ndryshme edukative dhe sociale.

Biznesi Summer School 2026 synon të krijojë një mjedis dinamik të të nxënit, duke u ofruar studentëve mundësi për të zgjeruar njohuritë e tyre, për të zhvilluar aftësitë profesionale dhe për të ndërtuar rrjete bashkëpunimi me profesorë, ekspertë dhe pjesëmarrës nga fusha të ndryshme.

Kolegji Biznesi u uron suksese të gjithë pjesëmarrësve dhe mirëpret një javë të mbushur me aktivitete akademike, përvoja praktike dhe bashkëpunim profesional.