Dita e dytë e trajnimit për trajnerë në kuadër të projektit LEADALKO vazhdon në UIBM
Dita e dytë e Trajnimit për Trajnerë (ToT) në kuadër të projektit LEADALKO, të cilin e koordinon Kolegji Biznesi dhe që është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të mërkurën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).
Ky trajnim për ata që do të pilotojnë Programin e Lidershipit në Arsimin e Lartë kishte nisur një ditë më parë në Kolegjin Biznesi në Prishtinë.
Gjatë paradites, pjesëmarrësit – përfaqësues nga universitetet partnere nga Shqipëria, Malta dhe Sllovenia – realizuan një vizitë kulturore në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë, ku u pritën nga drejtoresha Nora Prekazi, e cila i informoi mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit.
Trajnimi u zhvillua nga dy ekspertë ndërkombëtarë me renome:
• Prof. David Dawson, profesor i Lidershipit në Universitetin e Gloucestershire, ekspert ndërkombëtar në fushën e lidershipit dhe ndërmarrësisë;
• Prof. Jan Myers nga ISSBS, me përvojë të gjatë në të nxënit individual dhe organizativ, lidershipin e ndryshimeve sociale dhe krijimin e kuptimeve.
Ky seminar/trajnim përbën një aktivitet kyç të projektit, pasi synon të përgatisë trajnerët që më vonë do të implementojnë programin me stafin akademik dhe administrativ të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe me përfaqësues nga institucionet arsimore në nivel qendror dhe lokal.
Trajnimi i trajnerëve shërben si parathënie për trajnimin e grupeve përkatëse të stafit akademik dhe anëtarëve të jashtëm në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët do të marrin pjesë në sesionet e programit gjatë periudhës janar–qershor 2025.