Kolegji i Biznesit dhe Eter Corp LLC nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit.
Me kënaqësi të veçantë ju njoftojmë fillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit të Biznesit, përfaqësuar nga Dekani Prof. Dr. Shyqeri Kabashi dhe Eter Corp LLC, përfaqësuar nga Drejtori Remzi Plakaj, një partneritet strategjik i fokusuar në zhvillimin e menaxhmentit modern, inovacionit dhe teknologjisë.
Ky bashkëpunim synon të krijojë ura të qëndrueshme ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke integruar njohuritë teorike me praktikat më të avancuara të tregut. Përmes këtij partneriteti do të zhvillohen iniciativa të përbashkëta që përfshijnë:
- Programe trajnimi dhe mentorimi profesional
- Projekte kërkimore në fushën e menaxhimit dhe transformimit digjital
- Praktika profesionale për studentët
- Organizim të konferencave, workshopeve dhe aktiviteteve inovative
Në një kohë kur transformimi teknologjik po riformëson mënyrën e të bërit biznes, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes së gjeneratave të reja të profesionistëve me kompetenca të avancuara në menaxhment strategjik, inovacion dhe teknologji.
Kolegji i Biznesit dhe Eter Corp LLC ndajnë vizionin e përbashkët për të nxitur kulturën e inovacionit, sipërmarrjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke kontribuar në forcimin e ekosistemit ekonomik dhe profesional.
Prishtinë, 20 shkurt 2026